Kinologjia është një sport ose shkencë që merret në të gjitha aspektet e kultivimit dhe rritjen e racave të qenve ose më thjeshtësisht mund të thuhet që studion: Prejardhjen e qenve, kultivimin e tyre, rritjen, standardizimin dhe klasifikimin e qenve, sipas standardit të tyre, pajisja e pronarëve me dokumentacionin zyrtar të prejardhjes së qenve që quhet Pedigree, edukimin e pronarëve, trajnimin e qenve dhe vlerësimin e pamjes së jashtme të tyre. Kinologjia merret pjesërisht me anën e veterinarisë dhe më shumë me anën psikologjike të qenve.
Si shkencë e ka zanafillën në Francë, ku në vitin 1911 shtete si Franca, Gjermania, Belgjika, Austria dhe Holanda formuan Federatën Botërore të Kinologjisë, ku sot janë anëtare 86 shtete nga mbarë bota dhe ku janë regjistruar 335 raca të qenve. Kinologët janë të mbledhur në Federatën Kinologjike Botërore FCI – Federation Cinologique Internationale dhe organizojnë aktivitete të ndryshme kinologjike, si p.sh. Dog Show për vlerësimin e sjelljes dhe pamjes së jashtme të qenve, “Dog Show” për qentë e trajnuar dhe aktivitete të tjera që janë të lidhura me qentë. Të 335 racat e qenve sipas FCI-së janë të ndara në 10 grupime sipas standardit të racës, ku secili qen në këto grupe është klasifikuar nëpër përzgjedhjet e veçanta sipas standardit.