Për ne

Historiku i Federatës Kinologjike të Kosovës

Fillet e kinologjisë moderne në Kosovë datojnë që nga vitet e pesëdhjeta.

Kosova si dhe Republikat e ish Jugosllavisë kishte Lidhjen e saj kinologjike.  Lidhja Kinologjike e Kosovës kishte nxjerrë edhe gjyqtarët  e parë kinolog.

Që nga data 01.01.1969 vjen deri te decentralizimi i librit amë, të gjitha republikat dhe krahinat autonome të ish Jugosllavisë fituan numrin fillestar për evidentimin e qenve dhe lëshimin e pedigreve, numri fillestar i numrit amë për lëshimin e pedigreve në Kosovë fillonte me 90000. Rrethanat  politike të kohës e kishin bërë të veten dhe kinologjia në Kosovë i kishte pushuar pothuajse krejtësisht aktivitetet kinologjike.

Në vitet e 90-ta filloj riorganizimi i kinologjisë në Kosovë duke krijuar shoqatat kinologjike në disa komuna të Kosovës, shoqata këto paralele me ato të kohës të cilat kontrolloheshin nga shteti serb, me një aktivitet të pakët aq sa e lejonin rrethanat e atëhershme. Aktiviteti ynë kryesisht përqendrohej në regjistrimin dhe matjen e qenve në terren, kryesisht të popullatës së qenve tonë autoktonë.

Pas luftës së fundit dhe çlirimit të Kosovës, na u krijua mundësia e zhvillimit të një aktiviteti më të begatshëm. Pasi që në atë kohë Kosova administrohej nga UNMIK-u Federata Kinologjike e Kosovës u themelua si Organizatë Joqeveritare, me 10.06.2002, me numër  5101502-9, me seli në Pejë.

Me krijimin e institucioneve tona u Certifikuam pranë Ministrisë së Bujqësisë me numër HO-AË-01 të datës 24.02.2006.

Pas një pune intensive lobimi e përmbushje kriteresh të parashtruara nga Federata Kinologjike Ndërkombëtare (FCI) dhe pas inspektimit nga ana e kryetarit të Komisionit për pranimin e federatave të reja, zotëri Jorgen Hindse, Federata Kinologjike e Kosovës që nga data 01.01.2014 bëhet anëtarja e 89 në familjen më të madhe Kinologjike Federatën Kinologjike Ndërkombëtare, si  Partner Kontraktues, për katër vite pasi që ashtu janë rregullat e FCI-së .

Lajmi na vjen me datën 08.01.2014.

Dokumenti i dërguar nga FCI